“Për radarët e dinim pa na thënë Tahiri”, Kodheli lë në baltë ish-ministrin: PS ia ka lënë këtë çështje drejtësisë

“Për radarët e dinim pa na thënë Tahiri”, Kodheli lë në baltë ish-ministrin: PS ia ka lënë këtë çështje drejtësisë

Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka komentuar deklaratën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri sot në gjykatë, teksa tha se e kishte informuar kolegen përmes një shkrese sekrete për faktin se radarët në vend nuk funksiononin. Kjo ka qenë një nga akuzat e opozitës, se fikja e radarëve u krye për të favorizuar trafikun e sasive të kanabisit përtej detit.

Kodheli tha se kishte informacion për mosfunksionimin e radarëve përpara se të Partia Socialiste të vinte në pushtet. Ajo tha se masat për rikthimin në punë të radarëve nisën menjëherë pas tetorit të 2013-ës.

“Është marrë vetëm një moment sepse zoti Tahiri ka folur gjatë, nuk më është dashur as letra e Tahirit, ne kishim vetëm një muaj që ishim futur në zyrë dhe çështja e trafikimit ishte një nga shtyllat tona kur ne ishim në opozitë me qeverinë e Sali Berishës. Ne e dinim që më përpara që radarët nuk punonin, nuk ishte nevoja e një letre për ta marrë vesh. Për të qetësuar mediat dhe rrjetet sociale, në muajin nëntor të atij viti unë kam kërkuar me urgjencë dhe kam përgatitur një draft, janë nxjerrë para nga fonde të veçanta, ato çika para që kishin mbetur, për të mundësuar fillimin, rikthimin në punë të radarëve. Në tetor të vitit 2013 kanë qenë të gjithë në tokë, kur ne sapo kishim hyrë. Pastaj ka disa radarë, ushtarakë, të policisë, janë të programuar me programe të drejta të qeverive të mëparshme për të parë ato që hyjnë nga jashtë. Ka një bashkëpunim të ngushtë me forcat detare dhe ushtarake, forcat policore, të doganës apo struktura policore ndërkombëtare”, u shpreh Kodheli.

Ajo komentoi dhe pozicionin politik të Partisë Socialiste në këtë proces i cili nuk mund të kalojë pa vëmendjen e gjithë opinionit publik. Kodheli ka ruajtur të njëjtën linjë që ka mbajtur kryeministri Rama duke theksuar se kjo është një çështje e drejtësisë tashmë dhe jo më çështje e PS.